Informacion për konsumatorin

09/06/2021

Informacion për konsumatorin

Bordi i kompanisë EHW gmbh bën këtë deklaratë për shkak të informacioneve të pavërteta të ndonjë portali online, lidhur me urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nr. 173, datë 23.04.2021, “Për disa masa mbrojtëse për sëmundjen e influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve.” i cili ndalon importin dhe tranzitimin e shpendëve të gjallë, mishit dhe nënprodukteve të tyre në territorin e Shqipërisë nga disa provinca në disa shtete europiane.

E shohim këtë komunikim, si një detyrim tonin për një marrëdhënie të ndershme dhe transparente me konsumatorin, gjë që na ka udhëhequr në aktivitetin tonë dhjetra vjeçar.

Për saktësi informacioni bëjmë me dije faktin që kompania EHW gmbh nuk ka bërë asnjë import pulash në 25 vitet e fundit. Ndërsa, që nga koha e urdhëresës së mësipërme të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, EHW ka importuar vetëm 1 ngarkesë me mish pule, në sasinë 21 ton e cila përdoret për prodhimin e kremviçeve dhe kotoletave të pulës. Origjina e këtij produkti në të gjitha rastet ka qenë BE, konkretisht provinca Mazowiecke, rajoni Otwock, rrethi Duchnow, Poloni, prej së cilës importojmë që prej vitit 2014 pa ndërprerje. Kjo zonë është cilësuar si e sigurtë nga organet e kontrolli të BE për sa i përket rrezikut të influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve. Produkti i importuar është shoqëruar në çdo rast, me certifikatën e inspektimit veterinar dhe atë të sigurisë ushqimore.

Dëshirojmë të sigurojmë cilindo që për kompaninë EHW respektimi pa kompromis i ligjeve dhe procedurave për sigurinë ushqimore, zgjedhja e lëndëve të para cilësore si dhe transparenca në marrëdhëniet me konsumatorët, kanë qenë dhe mbeten kolona për aktivitetin e saj dhe çelës i suksesit që kjo kompani ka pasur, gjatë këtyre 3 dekadave në treg.

Nga ana tjetër rikujtojmë që jemi e para kompani shqiptare, e certifikuar në standardet ISO dhe HACCP nga kompani ndërkombëtare, në konformitet me ligjet dhe rregulloret e BE. Kompania certifikuese italiane Certiquality, prej më shumë se 20 vitesh, monitoron në vazhdimësi aktivitetin tonë që nga blerja e lëndës së parë deri në shitjen e produktit final.

Për sa kemi shprehur më sipër, ftojmë institucionet e shtetit Shqiptar, së pari AKU, të bëjnë verifikimet e nevojshme për të vërtetuar saktësinë e deklarimeve tona.

Gjithashtu, për çdo palë të interesuar jemi të hapur të ofrojmë bashkëpunimin tonë si për verifikimin e dokumentacionit ashtu edhe për vëzhgimet e nevojshme direkt në procesin e prodhimit.

Faleminderit!